
Tjetër shpërthim Covidi në Kinë, rikthehet ‘Lockdown-i’
Miliona njerëz janë izoluar në Kinë, për shkak të një shpërthimi të Covid, më të keqin që nga ditët e para të pandemisë. Sipas mediave ndërkombëtare, ky shpërthim i infeksionit është përhapur shumë më shpejt se valët e mëparshme të varianteve më pak infektive të virusit, pasi rastet ditore kanë shënuar pikun gjatë muajit shkurt ndërsa të martën u regjistruan 5100 të infektuar, shifra më e lartë që nga shpërthimi i hershëm i vitit 2020 në Wuhan të Kinës.
Numri mund të duket i ulët në krahasim me vendet e tjera, por është alarmante për një komb që ndërmori masat më të ashpra për të shkëputur zinxhirët e transmetimit të virusit me një politikë strikte të Zero-Covid gjatë gjithë pandemisë.
Që nga e marta, rastet me Covid janë raportuar në 21 provinca dhe komuna në mbarë vendin, përfshirë kryeqytetin kombëtar Pekinin dhe qytete të tjera të mëdha si Shangai dhe Shenzen. Rastet mund të jenë ende me mijëra por që nga e marta 37 milionë njerëz janë futur në izolim.
Si shpërtheu sërish vala e Covid?
Rastet filluan të rriten në fillim të muajit në disa provinca anembanë vendit, duke përfshirë Shandong në lindje, Guangdong në jug dhe Jilin në verilindje.
Deri më 6 mars, ekspertët po paralajmëronin se situata ishte “e rëndë” në disa vende por ata shprehën besimin se “Kina ka ende aftësinë për ta kontrolluar atë”.
Më shumë se 4,000 nga infeksionet e raportuara të së martës vinin nga Jilin. Pothuajse gjysma e totalit të infeksioneve në këtë shpërthim kanë ardhur nga ajo krahinë – dhe rastet atje nuk kanë arritur ende kulmin. Autoritetet dhe media shtetërore kineze thonë se ende nuk është e qartë se si filloi ky shpërthim i ri.
Por disa faktorë, duke përfshirë rastet e importuara nga jashtë dhe prevalencën e variantit Omicron e përkeqësuan ashpërsinë e shpërthimit në mbarë vendin, sipas Ëu Zunyou, shefin epidemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Variantet me më shumë raste
Omicron është varianti që po dominon në mesin e rasteve të reja. Një nga arsyet pse rastet janë përhapur kaq shpejt dhe janë më të vështira për t’u gjurmuar janë simptomat më të buta të Omicron dhe koha më e shkurtër e inkubacionit.
Varianti shumë infektiv tani ka zëvendësuar Delta-n si lloji dominues në vend, duke përbërë rreth 80% të rasteve të fundit.
Ekspertët po shohin si BA.1 – origjinalin e variantit Omicron – dhe BA.2 nënvariantin që u zbulua për herë të parë në janar dhe i mbiquajtur “varianti i fshehtë” sepse në testet e para laboratorike duket si variantet e tjera të Covid.
BA.2 është rreth 30% më i transmetueshëm se BA.1, sipas studimeve të hershme nga Britania dhe Danimarka. Tani po shkakton rreth 1 në 5 raste Covid-19 në mbarë botën, me raste të zbuluara në dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dhe pikërisht BA2 është zbuluar në Jilin.
Nuk është ende e qartë nëse shkakton sëmundje më të rëndë, por disa studime sugjerojnë se nuk do të çojë në një numër më të madh të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, pjesërisht sepse u shfaq shpejt pas valës së variantit origjinal të Omicron. Kjo ka bërë që shumë njerëz të zhvillojnë antitrupa mbrojtës, qoftë nga infeksione të fundit ose injeksione përforcuese përmes vaksinave.
Artikulli i CNN përktheyr dhe përshtatur në shqip nga Tibo News, E.B.