Tjetër kompani kriptovalutash deklaron falimentin

Një tjetër kompani e kriptomonedhave me lidhje direkte me famëkeqen FTX ka pësuar kolaps.

“BlockFi” paraqiti këtë javë në një gjykatë të New Jersey-it, deklaratën e falimentimit duke aplikuar të ashtuquajturin “Kapitull 11” të veprimtarisë tregtare.

Kjo është kompania më e fundit që kolapson pas falimentit spektakolar të FTX, që nxiti një dallgë të madhe rënie të bursave në tregun e kriptovalutave në fillim të këtij muaji.

“BlockFi” ishte veçanërisht e lidhur me shkëmbimin e valutave dixhitale dhe sikurse tregoi në deklaratën e falimentit, u prek ndjeshëm nga huatë e pakthyera nga kompania Alameda, e cila rezulton se ka thithur burimet kryesore të fondeve të FTX duke nxitur krizë likuiditeti.

Kompania kishte gjithashtu llogari të majme me kriptovaluta të cilat u bllokuan dhe zeruan pas falimentit të FTX.

Në dosjet hetimore të autoriteteve amerikane, “BlockFi” renditi asetet dhe detyrimet që kishte nga FTX, me një vlerë deri në 10 miliardë dollarë dollarë, nga ku përmendeshin më më shumë se 100,000 kreditorë.

Falimenti i “BlockFi” vjen pasi çmimet e kriptovalutave kanë rënë ndjeshëm.

Çmimi i Bitcoin, monedha dixhitale më e njohur në rrjet, është ulur më shumë se 70% krahasuar me vlerën më të lartë që u shënua gjatë vitit 2021.

Por, krahas deklaratës së falimentit, “BlockFi”, ka paditur edhe themeluesin e FTX, Sam Bankman-Fried, të cilit i kërkon kthimin e huave të pashlyera ose dhënien si kolateral të aksioneve të kompanisë Robinhood, që dyshohet se ishin premtuar si garanci pak ditë përpara falimentit të FTX.

*Tibo News.