
Tirana mban panairin e parë mbarëkombëtar të librit akademik
Me rastin e 50-vjetorit të themelimit, Akademia e Shkencave mbajti në datat 22-23 prill panairin e parë mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor.
Panairi u mbajt si nismë e përbashkët mes akademive të shkencave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai ngjalli interes, pasi përfshiu 33 ente botuese, të cilat ekspozuan 2 mijë tituj dhe përuruan 50 botime të reja duke dhënë edhe mundësinë e diskutimeve.
Organizatorët thanë se përmes këtij panairi u synua afrimi i publikut te botimet shkencore, sinkronizimi i tre akademive të shkencave me shtëpitë botuese për të nxitur botime të tjera.
Akademitë e Shkencave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kërkojnë që në universitete të mos ketë mungesë librash shkencorë. Për këtë ata synojnë që panairin mbarëkombëtar të librit akademik ta kthejnë në traditë.
Ky organizim pritet të zhvillohet periodikisht në vende të ndryshme, fillimisht mes Tiranës dhe Prishtinës duke lënë të hapur mundësinë për organizime edhe në qytete të tjera.
Për tre ditë me radhë qytetarët e Tiranës patën mundësinë të shihnin nga afër se cili është produkti shkencor i shqiptarëve dhe në cilat fusha ka më shumë progres, debate dhe përthellime.
Një nga këto përthellime ishte edhe botimi shkencor “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” me autore akademiket Persida Asllani dhe Dhurata Shehri. Libri synon t’i japë një skicë linjave kryesore të hartimit të historisë së letërsisë shqipe.
Ato kanë një qasje krahasuese për letërsinë, e cila nxjerr në pah marrëdhëniet me letërsinë botërore.
“Së bashku me kolegen time, Dhurata, jemi të mendimit se një historiografi që të shprehte në plotërinë e saj gjithë zhvillimin e letërsisë shqipe, do duhej të ndërtohej mbi principin e krahasimit, pra duke e parë letërsinë shqipe ashtu siç është, pjesë e letërsisë evropiane dhe letërsisë botërore. Pra, jo të mbyllur në vetvete, por në një shkëmbim të vazhdueshëm që ndodh gjithmonë përmes kulturave”– u shpreh Asllani.
Të dyja mikesha, kolege, të cilat edhe studimet i kanë kryer bashkë, Persida dhe Dhurata janë në një bashkëbisedim, rezonancë dhe kontradiktë të përhershme me njëra-tjetrën. Pas këtij botimi në bashkëpunim ato pritet të vazhdojnë më tej me një botim më sociologjik, që trajton marrëdhëniet që ka pasur letërsia shqiptare me shoqërinë dhe institucionet e saj në përgjithësi.
“Nuk e di a jam gati shpejt unë apo Persida që të nisim një bashkëpunim të tillë, në fakt e kemi ndërmend një bashkëpunim për një studim tjetër sepse si duket na ka shijuar shumë grindja që kemi pasur. Edhe ai do të jetë një studim historiko-letrar, por për një lloj historie më sociologjike të letërsisë shqipe” tha Dhurata Shehri, enkas për Tibo News.
Skënder Gjinushi e Mehmet Kraja, të cilët drejtojnë akademitë e Shqipërisë dhe Kosovës, vlerësuan me çmime mirënjohjeje për kontributin e dhënë Artan Boriçin dhe Ali Aliun.