AlbanianEnglish

Tirana EYC, të rinj nga Ballkani bëhen bashkë në edicionin e Pestë të “Shtigje Rinore 2022”

Ombrellës të aktiviteteve për Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, i bashkohen 24 të rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që vijnë në Tiranë në datat 8-12 Prill për një program me në qendër të rinjtë dhe rolin e tyre për paqen dhe sigurinë. Ky program, i quajtur “Youth Trail” (Shtigje Rinore), vjen në këtë edicion të pestë të tij nën temën “Together for Safety” (Së bashku për Siguri).

Duke përshëndetur ceremoninë e hapjes, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, theksoi se: “Bashkëpunimi me të rinjtë është një aspekt thelbësor në përpjekjet tona drejt demokratizimit, sepse rinia është themeli i çdo sistemi demokratik. Jam i lumtur të shoh agjendën e pasur të programit Shtigje Rinore 2022 dhe shpresoj se do të përfitoni sa më mirë nga kjo përvojë e jashtëzakonshme.’’

“Të rinjtë kanë fuqinë të sjellin ndryshimin dhe me potencialin e tyre janë agjentë të transformimit pozitiv në shoqëri,” shtoi Ambasadorja Greke në Shqipëri, Znj. Sophia Philippidou.

Duke folur për mundësitë që ofron ky vit si Viti i të Rinjve, Koordinatore e Përgjithshme e Tirana EYC 2022 pranë Kongresit Rinor Kombëtar, Znj. Aspasjana Kongo, u bëri thirrje pjesëmarrësve: Ky është një vit i cili i dedikohet të rinvje, ndaj dua t’ju ftoj të ndiqni programet dhe aktivitetet tona dhe të jeni pjesëmarrës dhe kontribues aktiv në to. Dyert tona janë të hapura për t’ju mirëpritur këtu për iniciativa të reja, projekte dhe ide të reja.”

Ceremonia e hapjes u përshëndet edhe nga Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Znj. Keti Luarasi dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), Z. Denis Piplaš.

Në ditët në vijim, pjesëmarrësit e “Shtigjeve Rinore 2022” do të angazhohen për realizimin e një programi që ka të bëjë me shkëmbimin e përvojës dhe ideve rreth temave që nisin me pjesëmarrjen demokratike, vazhdojnë me konceptet e paqes dhe sigurisë në nivel lokal, mekanizmat për angazhimin dhe bashkëpunimin rinor dhe përfundojnë me rëndësinë e barazisë gjinore për paqen dhe sigurinë. Për pesë ditë, të rinjtë do të njihen me njëri-tjetrin, do të eksplorojnë Tiranën dhe do të debatojnë rreth të ardhmes së demokracisë, sigurisë, paqes dhe bashkëpunimit rajonal.

“Shtigje Rinore 2022” organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Tiranë, Kongresin Rinor Kombëtar, Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe me mbështetjen e Ambasadës Greke në Tiranë, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Përfaqësisë së Përhershme të Italisë pranë OSBE-së.

*Tibo News 

You don't have permission to register