Tirana e mbyll mandatin si ‘Qyteti Europian i Sportit’

Tirana përmbyll kapitullin si Qyteti Europian i Sportit për vitin 2023.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj teksa bëri një bilanc të arritjeve gjatë këtij viti, tha se gjatë mandatit, kultura sportive u bë pjesë e çdo familje.

“Ambicia ishte për çdo djalë dhe çdo vajzë me aftësi speciale apo me aftësi ndryshe, me lindjen në Tiranë, në qendër apo në ndonjë periferi, me ndihmë ekonomike ose në mes të Bllokut, ta kishte një mundësi, të tregonte veten, të lozte në skuadër dhe të arrinte një fitore. Faleminderit që e përdorët këtë vit për të futur kulturën sportive në çdo familje”.

Titulli ‘Qyteti Europian i Sportit’ për 2023shërbeu për të kuptuar që sporti shërbeu edhe për të bashkuar njerëzit, një sfidë për Bashkinë Tiranë që u përmbyll me suksese, e që me këtë eksperiencë sheh drejt 2025, ku Tirana do të mbajë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Mezi pres që Tirana ta kthejë në histori suksesi edhe B 40. Vitin tjetër Tirana është “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës” dhe mezi pres që të kemi një përfshirje shumë të madhe edhe aty. Sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme, është lidhja për shoqëri, për miqësi dhe për një dashuri që zgjat për një jetë”.

Veliaj i kaloi në mënyrë simbolike stafetën Prishtinës dhe Vlorës, si qytete të sportit, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në ambientet e Parkut Olimpik.