TikTok në Shqipëri me gjuhë urrejtje, Rama takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë

Kryeministri Edi Rama është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë TikTok, Theo Bertram. Ai thuhet të ketë ndarë me të  shqetësimin që ky rrjet social po shkakton në shoqërinë shqiptare në tërësi dhe jo vetëm. Kryeministri tregon se me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë TikTok diskutoi për ngjarjet e fundit në Shqipëri, si dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

“U njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, tregoi në “Facebook kreu i qeverisë ku ndau edhe foto nga takimi.

“TikTok” është shndërruar në rrjet social shqetësues pasi mesa duhet ka ndikuar në rritjen e krimeve kibernetike.

Rasti më i fundit ishte ai i 27-vjeçares, që vrau veten pas publikimit të një fotoje intime. Për ngjarjen u arrestua TikTok-eri Altin Çoku, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.