“Ti Bo Gol” prej 5 javësh sjell futbollin shqiptar si asnjë emision tjetër televiziv

Pas emisionit të suksesshëm “Gran Gol” që sezonin e shkuar solli në Oversport dhe Tibo ndeshjet e Serie-A me koment dhe analiza direkt nga stadiumet italiane, këtë sezon ky format është kaluar edhe në futbollin shqiptar.

Quhet “Ti bo gol” dhe për 5 javët e para ka përcjellë për publikun shqiptar risinë e emisioneve tipike perëndimore me dinamikën e fushës që vjen enkas për sportdashësit që ndjekin nga televizioni.

Drejtori i Oversport, Alban Xhihani, ka mundur të ngre një “skuadër” fantastike, që ka dëshmuar në javët e para se mund t’ia dalë ta rrisë edhe më tej cilësinë e futbollit shqiptar me më shumë vëmendje, më shumë përkushtim dhe më shumë teknologji në përcjelljen e transmetimit.

Emisioni drejtohet nga Krist Martiro, ndërsa në studio janë prezent me analizat e tyre ish-futbollistët Ledio Pano e Andi Lila si dhe gazetari Jetmir Halilaj.

Në ndeshjet më të bukura nuk mungon as bukuroshja Cindy Marina, e pagëzuara si “pantera” e Oversport, e cila i ka dhënë të njëjtën buzëqeshje të Serie-A edhe “Abissnet Superiore”-s.

Për Tibo News, Xhihani thotë se “emisioni synon të jetë një koncentrat i asaj që ndodh në fushë, jashtë kostumit apo kravatës së zakonshme të emisioneve të shkuara”. Ai thekson se skuadra e tij “luan pastër” pa pasur synime dashakeqe apo të qëllimta si për komentet, ashtu edhe për analizat.

Risia vijon me formacionin e javës, e po kështu lojtarin dhe trajnerin e muajit, të cilin do ta caktojë Andi Lila. Ky i fundit vjen edhe me prezencën e tij si komentator krah Alban Xhihanit.

Krahas “skuadrës titullarë” në prapavijë vijnë plot të tjerë, si gazetarët Gentian Alinani, Olsi Tujani, Orest Floku, Ermir Dimashi, Vasil Koka etj. Po kështu skuadra e regjisë, operatorëve dhe teknikëve të transmetimit që ia kanë dalë në perfeksion t’i bëjnë ballë edhe kushteve atmosferike në transmetimet direkte nga stadiumet.

Por, siç thotë Xhihani, “ky është vetëm fillimi”.