
Thika e faraonit Tutankhamun u farkëtua nga një meteorit
Kur arkeologët zbuluan për herë të parë varrin e faraonit Tutankhamun në vitin 1922, nuk e çuan aspak në mend se një nga artefaktet që gjendeshin aty nuk e kishte origjinën nga rrethinat e Egjiptit, e në fakt as nga vetë Toka.
Tutankhamun ishte faraoni i fundit i dinastisë së 18-të të njohur si Thutmosid, të cilët mbretëruan Egjiptin mes viteve 1500-1200 para Lindjes së Krishtit. Ai u ngjit në fron në moshën 9-vjeçare dhe vdiq rreth 10 vjet më vonë.
Ajo që e bën tejet të veçantë zbulimin e varrit të tij, është gjetja e rreth 5,400 artefakteve të ruajtura në mënyrë mbresëlënëse. Mes tyre një maskë prej ari dhe plot sende vetjake si për shembull një kamë, e cila i qe vendosur në dorë.
Por pikërisht kjo thikë ka ngjallur mjaft kuriozitet te arkeologët pasi tehu i saj është bërë prej një materiali që nuk gjendet në Tokë.
Analizat e kryera për përbërjen e tehut kanë zbuluar se materiali i përbërë nga hekur i varfëruar është marrë nga një meteorit.
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se materiali është i ngjashëm me meteoritin Shirahagi, zbuluar në Japoni në vitin 1975, prej të cilit janë farkëtuar disa shpata mbretërore. Arkeologët janë të bindur se një meteor i ngjashëm mund të ketë goditur rrethinat e Egjiptit në vitet 1500-1400 para Lindjes së Krishtit.
Materiali i dorezës së thikës gjithashtu nuk është i ngjashëm me asnjë material tjetër të kamave të zakonshme egjiptiane.
Kjo ka ngjallur më tepër kureshtje pasi shumëkush prej arkeologëve po mundohet të kuptojë se kush mund ta ketë farkëtuar kamën e Tutankhamunit, duke qenë se epoka e hekurit ka vijuar rreth vitit 1200 para Lindjes së Krishtit, periudhë kur faraoni i fundit i dinastisë së 18-të kishte kohë që kishte vdekur.
Historianët thonë se kama ka qenë dhuratë nga faraoni Amenhotep III-të për martesën e Tutankhamunit me Ankhesenamun. Vetë Amenhotep mendohet se e ka trashëguar nga të parët.
Hipoteza e kamës që vjen nga jashtë Tokës mbetet e pa zgjidhur, por ky rast ka shtuar më tej diskutimet se Egjipti i Lashtë ka shumë aspekte pa zbuluar.