Testimi për mjekësi, 400 maturantë do përzgjidhen

Nis sot testimi i informatizuar për maturantët që duan të ndjekin studimet për degën Mjekësi e Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë

Janë në total 1813 maturantë të cilët testohen në ambientet e qendrës së shërbimeve arsimore.

Si funksionon?

70% të vlerësimit e përbëjnë pikët e grumbulluara nga mesatarja e maturës, që për këtë degë kërkohet mbi 8.5. Shtuar edhe pikët që do të marrin që përbëjnë 30 % të vlerësimit.

Testimi nis më 14 gusht dhe përfundon deri më 23 gusht. Maturantët janë të ndarë në grupe dhe janë përcaktuar oraret e testimit.

Testimi zhvillohet online, ndërkohë që pyetjet janë me alternativa. Maturantët do i marrin përgjigjet brenda ditës.

Nga totali i maturantëve, do të përzgjidhen vetëm 400 studentë fitues.

Ndërkohë që janë edhe kuotat për studentë nga diaspora dhe në total do të jenë 464 studentë që do të ndjekin vitin e parë  në mjekësi.

Risia është për studentët fitues, të cilët do të lidhin kontratë që pas studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre.

Ligji u miratua në seancën e fundit parlamentare por nuk është dekretuar ende nga presidenti i Republikës, por afati është sot dhe pritet të dalë dekreti.