
Testi i Covid s’mjafton në Itali: Rregullat që ndalojnë hyrjen në lokale dhe autobusë
Kanë hyrë në fuqi nga dita e djeshme rregullat e reja anti-Covid në Itali. Kjo do të thotë se rezultati negativ i një testi të koronavirusit nuk do japë më akses në bare, restorante dhe transport publik vendas.
Personat që së fundmi u shëruan nga Covid-19 përjashtohen nga rregulli i ri i cili do të jetë në fuqi deri më 31 mars. Kufizimi i fundit hyn në fuqi pasi shumë italianë u rikthyen në punë dhe shkollë pas periudhës festive të fundvitit.
Kryeministri italian Mario Draghi kritikoi ata nuk janë vaksinuar, për të cilët thotë se janë shkaku i problemit, pasi vendi po vuan një përhapje të madhe të variantit Omicron.
“Shumica e problemeve që po përjetojmë sot janë për shkak të faktit se ka njerëz të pavaksinuar” të cilët kanë shumë më shumë gjasa të zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes dhe i vënë spitalet nën presion”, tha kryeministri italian gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e djeshme.
Italia regjistroi më shumë se 100 mijë të infektuar në 24 orët e fundit.
Më shumë se 86 % e personave mbi 12 vjeç janë vaksinuar, dhe rreth 15 për qind e fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç kanë bërë vaksinën e tyre të parë.