Terror në një studio televizive, persona të armatosur futen gjatë transmetimit “live”

Një grup personash të armatosur janë futur në një studio televizive ku po transmetohej “live” në Ekuador dhe kanë kërcënuar stafin.Transmetimi direkt në stacionin televiziv TC në qytetin e Guayaquil-it u ndërpre pasi personat e maskuar u futën në studio. Pjesëtarë të stafit u detyruan të uleshin në dysheme përpara se të ndërprisnin transmetimin.

Kujtojmë se në Ekudaor është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për 60 ditë, pasi një lider i dënuar bandash u arratis nga burgu.

Personat me kapuç u panë më pas teksa largoheshin nga studiot e TC, ndërsa policia u fut në godinë rreth 30 minuta pasi grupi i armatosur u shfaq për herë të parë.Siç raportojnë mediat, njësitë e policisë kombëtare në Quito dhe Guayaquil janë vendosur në vendngjarje. Që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, të paktën shtatë policë janë rrëmbyer nga anëtarët e bandës.Masat u prezantuan nga Presidenti Daniel Noboa pasi bosi i bandës Los Choneros u zhduk nga një burg i sigurisë maksimale të dielën.