Tërmeti/ Siria pa mjete, gërmohet me duar nën rrënoja

Dëshmitarët okularë kanë treguar për median gjermane DW se Helmetat e Bardha në Siri po përpiqen të shpëtojnë viktimat e tërmetit shkatërrues me “duar” për shkak të mungesës së mjeteve.

Tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter goditi pranë Gaziantep në Turqinë jugore pranë kufirit me Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndjekur nga një lëkundje tjetër e fortë me magnitudë 7.5 pas mesditës.

Mbi 21 mijë njerëz janë konfirmuar deri më tani të pajetë  në të dy vendet, me numrin e të vdekurve që pritet të rritet mes operacioneve të vazhdueshme të shpëtimit.

Provinca Idlib në veriperëndim të Sirisë, e kontrolluar nga opozita, ishte ndër rajonet më të goditura. Krahinës i mungojnë pajisjet teknike për të shpëtuar të mbijetuarit nga tërmeti. Një prej gazetarëve lokalë, Omar Albam ka treguar se qyteti është goditur rëndë, dhe pothuajse rrafshuar nga tërmeti.

“Toka u trondit dy herë. Pasgoditja u ndje shumë më e gjatë. Njerëzit në Idlib dolën nga shtëpitë e tyre, ata ishin në panik.”

Ai tha se ndërtesat e shembura ishin tashmë në gjendje të keqe për shkak të luftës civile të vendit, e cila vazhdon për rreth 12 vjet, dhe veçanërisht për shkak të “sulmeve ajrore ruse”.

“Por ndërtesat më të reja u shembën gjithashtu, në të gjithë provincën Idlib,”

Ai tha se familje të tëra kanë mbetur nën rrënoja.

Forcat vullnetare të Mbrojtjes Civile nuk janë më në gjendje të nxjerrin njerëzit nga rrënojat. Njohur gjithashtu me emrin Helmetat e Bardha, grupi ka qenë i njohur prej vitesh për aftësinë e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat si rezultat i sulmeve ajrore që rrëzuan ndërtesat.

Tërmeti goditi edhe rrjetet e lidhjes, me disa zona të shkëputura plotësisht nga komunikimi.

“Aktualisht nuk ka vlerësime të besueshme se sa njerëz kanë vdekur si pasojë e tërmetit. Ka kaos dhe është ende e paqartë në këtë moment.”

Në rrugët e Idlibit, banorët flasin për tmerrin që po përjetijnë. Njëri përshkroi se si ai kaloi orë të tëra duke kërkuar për familjen e mikut të tij nën rrënoja.

“Ne vazhduam t’i kërkonim deri në 6 të mëngjesit. Ne gjetëm gruan dhe dy fëmijët e tij të vdekur. Dhe kjo është ajo që njerëzit po kalojnë.”

Shumë kërkuan mbështetje ndërkombëtare, duke thënë se ndonëse e madhe, përpjekja e Helmetave të Bardha nuk ishte e mjaftueshme.

“Shpresoj që organizatat humanitare thjesht të na ndihmojnë. Vetëm pajisje dhe ndihmë mjekësore, asgjë më shumë” .

Një tjetër banor përshkroi momentet e tërmetit duke thënë: “Momente të tmerrshme që kemi përjetuar në orën 4 të mëngjesit. Nuk kemi parë kurrë një tërmet të tillë. Shumë ndërtesa u shembën. Unë dhe familja ime shpëtuam dhe fqinjët gjithashtu. Mbrojtja civile po bën të gjitha përpjekjet e saj. E gjithë kjo mu duk sikur ishte Dita e Gjykimit.”

Alepo e kontrolluar nga qeveria e Sirisë, e cila u godit rëndë nga tërmeti shkatërrues i së hënës, nuk është i pajisur për t’u përballur me pasojat, me shumicën e ndihmësve që punojnë pa trajnimin e duhur, duke gërmuar me duar.

Një banore e Aleppos tha se shumica e atyre që ndihmuan në operacionet e shpëtimit ishin civilë të zakonshëm.

*Tibo News