
Tërmeti 7.7 ballë në Meksikë, në përvjetorin e dy tërmeteve shkatërruese
Meksikanët u tronditën sërish këtë të hënë nga një rastësi tragjike. Një tërmet me magnitudë 7.7 ballë, me një viktimë deri më tani, tronditi qendrën e vendit pikërisht teksa përkujtonin dy tërmetet e fuqishme që lanë mijëra të vdekur në 1985 dhe 2017.
Më pak se një orë pasi u zhvillua një stërvitje për tërmetet në kuadër të përkujtimit të ngjarjeve të ndodhura më 19 shtator 1985 dhe 2017, një lëkundje e fortë shkaktoi panik në sektorë të ndryshëm të kryeqytetit dhe qytete të tjera në qendër të vendit.
“Një person vdiq për shkak të rënies së një muri në një qendër tregtare në Manzanillo,” tha presidenti Andrés Manuel López Obrador në Twitter.
Shërbimi Sizmologjik Kombëtar detajoi se fenomeni ndodhi në orën 13:05 me orën lokale, me një epiqendër 59 km në jug të Coalcomán, në bregun e Paqësorit. Kishte një thellësi prej 15 km.
Nga ana e saj, Qendra e Paralajmërimit të Tsunamit të Meksikës parashikoi “ndryshime anormale në nivelin e detit, deri në 82 cm mbi nivelin e baticës”, në rajonin e epiqendrës.
Lëkundjet kanë aktivizuar alarmin sizmik, i cili bie një minutë para shfaqjes së këtij lloj fenomeni, duke shkaktuar evakuime masive në kryeqytet, të 9.2 milionë banorëve.
Disa sektorë të qytetit pësuan ndërprerje të energjisë elektrike që prekën një linjë metroje, informoi kryebashkiaku i qytetit, Claudia Sheinbaum, në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, autoritetet e Michoacan raportuan një person të plagosur nga rënia e xhamit dhe dëmtime të vogla në shtëpi dhe një spital rural.
Alarmi sizmik u dëgjua më pak se një orë pasi miliona njerëz morën pjesë në një stërvitje kombëtare, e cila zhvillohet çdo 19 shtator për të inkurajuar parandalimin.
Ky është tërmeti i tretë që regjistrohet më 19 shtator në historinë e Meksikës pas atij që ndodhi në vitin 1985, me magnitudë 8.1 ballë dhe që la mbi 10 mijë të vdekur, shumica dërrmuese në kryeqytet.
Në të njëjtën datë të vitit 2017, një tjetër tërmet 7.1 ballë goditi qendrën e vendit, me një bilanc prej 369 të vdekurish.
Lëkundjet e kësaj të hëne kanë ndodhur vetëm nëntë minuta nga ajo e vitit 2017.
Por “nuk ka asgjë që të na thotë shkencërisht se 19 shtatori i kushtohet vëmendje e veçantë”, theksoi kryebashkiaku i kryeqytetit.
Pjesa më e madhe e kryeqytetit meksikan ndodhet në një liqen të vjetër, kështu që nëntoka është me baltë dhe valët telurike janë më intensive sesa në tokë të fortë.
Meksika regjistron një aktivitet intensiv sizmik sepse ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, që bashkon Amerikën me Azinë dhe ku ndodhin shumica e tërmeteve në botë.
*TiboNews