Tentoi të arratisej, Dan Hutra drejt mbylljes në 41 bis

Tentativa e dështuar për arratisjen nga burgu i Fierit duket se do mbyllë në regjimin e posaçëm 41 bis, Dan Hutrën, të dyshuar si organizator të këtij plani që u parandalua nga policia e burgjeve. Burime pranë kësaj drejtorie bënë me dije se për të parandaluar një tentativë tjetër të këtij të burgosuri, kanë nisur procedurat në kordinim me Prokurorinë e Posaçme për izolimin e 40-vjeçarit që së bashku me 3 të paraburgosur të tjerë, kishin planifikuar arratisjen.

Plani u zbulua nga kontrollet e SHKB dhe Policisë së Burgjeve, ku Dan Hutra u kap në flagrancë teksa vinte në zbatim planin e tij, që ishte ideuar të realizohej përmes prerjes së hekurave të dritareve.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se arratisja do të kryehej nga dhoma e 3 të paraburgosurve Martin Kapllanit, Geraldo Veizajt dhe Feti Kovaçit të cilët kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete të improvizuara.

Konkretisht enë kuzhine të cilët përdoreshin për t’u ushqyer të cilat ishin improvizuar si mjet prerës.

Gjithashtu u gjet dhe u sekuestrua një çarçaf i përshtatur si litar që do të përdorej për t’u varur nga dritaret deri në ambientet e oborrit të burgut, ku më pas do të tentonin të largoheshin.

Hetimet e këtij rasti po ndiqen nga Prokuroria e Fierit, e cila sipas burimeve, mësohet se dyshon që ky plan të jetë thurrur në ditët e fundit të Dhjetorit dhe do finalizohej në datat 4 apo 5 Janar.

40-vjeçari Dan Hutra i dyshuar si ideator i kësaj tentative ndodhet në burg prej Marsit të këtij viti pasi akuzohet për vrasjen e tri grave dhe plagosjen e tri të tjerave, ndërsa 3 bashkëpunëtorët e tij prej pak muajsh janë arrestuar për vjedhje.