Tension mes Rusi-SHBA në OKB për Ukrainën

Ka patur tension mes të dërguarve rusë dhe amerikanë gjatë mbledhjes në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku SHBA-të kërkuan një takim për të diskutuar mbi shtimin e trupave të Moskës mbi kufijtë e saj me Ukrainën.

Ambasadorja e SHBA-ve  tha se mobilizimi ishte më i madhi që Evropa kishte parë në dekada. Ndërsa homologu i saj rus akuzoi SHBA-të për nxitje të histerisë dhe ndërhyrje të papranueshme në punët e Rusisë.

SHBA-ja dhe Britania kanë premtuar sanksione të mëtejshme nëse Rusia pushton Ukrainën.

Sekretarja e Jashtme e Britanisë bëri me dije se po përgatitet një legjislacion që do të synojë një gamë më të gjerë individësh dhe biznesesh pranë Kremlinit, të cilët do të përfshihen në skemën e sanksioneve. Edhe nga Uashingtoni do të ndiqet e njëjta politike,  që do të thotë se zyrtarë dhe individë pranë Kremlinit do të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar.

Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa ushtarakë, tanke, artileri dhe raketa pranë kufijve të Ukrainës.

Ndërkohë përpjekjet diplomatike vazhdojnë, Sekretarin Amerikan i Shtetit Antony Blinken  pret që të zhvillojë bisedime me ministrin e jashtëm rus.