Teleskopi James Webb sjell imazhin e parë më të detajuar të universit

Shtëpia e Bardhë prezantoi mbrëmjen e së hënës fotografinë e parë me ngjyra të kozmosit të siguruar nga teleskopi i ri hapësinor James Webb.

Imazhi thuhet se është pamja më e thellë dhe më e detajuar me rreze infra të kuqe e hapësirës ndërplanetare deri më sot.

Fotot e tjera nga James Webb do të publikohen nga NASA në një konferencë të posaçme për shtyp, por fotoja e publikuar nga Presidenti Joe Biden ka ngjallur mjaft kureshtje.

Teleskopi James Webb, i hedhur në hapësirë në dhjetor 2021 ka kushtuar plot 10 miliardë dollarë. Ai zëvendësoi teleskopin tjetër Hubble.

Shkencëtarët shpjegojnë se fotografia e siguruar nga James Webb tregon gjendjen e universit më shumë se 13.5 miliardë vite më parë në një kohë kur sipas teorisë së “Big Bang” Universi mendohet të jetë krijuar 13.8 miliardë vite më parë.

Toka është larg Diellit 150 milionë kilometra. Drita e diellit e përshkon këtë distancë për 8 minuta. Kjo do të thotë se nëse dielli do të shuhej, Tokës do t’i duheshin 8 minuta për ta vënë re. Kjo lloj njësie matëse është ajo që konsiderohet si “distancë dritë larg”.

Për këtë yjet e fotografuar nga James Webb janë rreth 13.5 miliardë vite dritë larg. Pamja ka të bëjë me hemisferën jugore të yjësisë Volans, e njohur me emrin SMACS 0723. Kjo pjesë e universit është fotografuar më parë edhe nga Hubble, por versioni i Webb është dukshëm më i qartë dhe detajuar.

NASA shpreson që me teleskopin e ri të mund të identifikojë përveç objekteve më të largëta hapësinore edhe planetë në të cilat mund të ketë shenja jete.