‘Të vërtetën time do e ballafaqoj në gjykatë’

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u paraqit në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne.

Atij i është komunikuar akuza për “shpërdorim detyre” për çështjen e sterilizimit duke e marrë si të pandehur.

Pasi doli nga SPAK, ai tha:

“Të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë. Do vërtetohet sa kanë përfituar shqiptarët nga sterilizimi. Prokuroria nuk mori mundimin për 50 muaj të kuptonte pse qendra e sterilizimit nuk u vendos në punë”.

SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Ilir Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapajn, ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.

Sipas SPAK, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.