‘Të veçosh emigrantët shqiptarë, moment i turpshëm në politikën britanike’

Të veçosh emigrantët shqiptarë është një ‘moment shumë i turpshëm në politikën britanike’, këtë ka deklaruar kryeministri Edi Rama nga Britania, ku mori një ftesë zyrtare nga homologu i tij britanik, Rishi Sunak.

Në intervistën për BBC, Rama tha se shqiptarët të cilët kanë emigruar në Britani janë “veçuar” për qëllime politike dhe se të dy vendet po rikuperohen në aspektin e marrëdhënieve  mes tyre.

Ai veçoi ministren e Brendshme Suella Braverman për gjuhën e përdorur ndaj emigrantëve shqiptarë, në fjalën që mbajti pak muaj më parë në parlamentin britanik.

Rama thekson në intervistë se është thelbësore që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos përcaktohen nga disa “mollë të kalbura”.

“Fatkeqësisht ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”.

I pyetur nëse i referohej gjuhës për kalimet me varka të vogla ilegalisht, ai tha: “Dua të them atë që është folur nga anëtarët e kabinetit, duke filluar me ministren e Brendshme dhe më pas dua të them atë që saktësisht ka qenë duke u zhvilluar si veçimi i komunitetit i cili nuk është diçka që ju bëni në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk përfaqëson fare Britaninë. Kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por ka një vullnet për ta kapërcyer atë. Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike në vetvete është krim”.

Rama ka akuzuar më parë Suella Braverman për nxitje të sulmeve ksenofobike pasi ajo foli në parlament për një “pushtim” të azilkërkuesve dhe “kriminelëve shqiptarë”.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të ndalojë së fajësuari popullin e tij për krizën e emigrantëve për të “shfajësuar dështimet e politikave”.

Megjithatë, Rama shton se beson se kryeministri britanik Sunak i ka vendosur marrëdhëniet në një rrugë të re drejt bashkëpunimit për çështjet që i shqetësojnë të dy palët.

“Nga ana tjetër jam shumë i kënaqur me kryeministrin tuaj. Ne kemi vendosur një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çdo gjë që duhet të përjashtohet nga marrëdhëniet tona dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që disa mollë të kalbura të mos përcaktojnë komunitetin shqiptar këtu dhe marrëdhëniet tona.”

Takimi i zotit Rama me Sunak në Doëning Street ishte i pari ballë për ballë.

Dy liderët folën dhjetorin e kaluar në vazhdën e polemikave mbi komentet e Braverman kur ata ranë dakord të punonin së bashku për të mbyllur “boshllëqet” që parandalonin kthimin në Shqipëri të azilkërkuesve të refuzuar.

Më shumë se një e treta e njerëzve që kaluan Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar në nëntë muajt e parë të vitit ishin nga Shqipëria, sipas shifrave të qeverisë.

Sipas planit pesëpikësh të Sunak për të ndaluar imigracionin e paligjshëm që filloi në dhjetor, u arrit një marrëveshje me Ramën për të integruar zyrtarë të Forcave Kufitare në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, si pjesë e një pakete masash për të reduktuar kalimet e Kanalit midis njerëzve nga vendi.

Që atëherë, qeveria ka rritur masat e saj për të ‘goditur’ anijet e vogla, duke paraqitur një projekt-ligj që ndalon këdo që të kërkojë azil nëse hyn në Britani me mjete të paautorizuara.

*Tibo News