AlbanianEnglish

Të shtënat në Itali, mes viktimave shoqja e kryeministres Meloni

Tre gra, përfshirë një mikeshë e kryeministres së re të Italisë janë vrarë pasi një burrë qëlloi me armë në një kafene në Romë, duke plagosur katër persona të tjerë.

Personat që ishin brenda kafenesë ishin banorë të një blloku lokal, të cilët po diskutonin mbi çështje të bashkëjetesës.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, e përshkroi  ngjarjen si një “episod të rëndë dhune” dhe tha se do të merrte pjesë në një takim urgjent të hënën me zyrtarë të tjerë.

Kush është autori?

Një person i moshës 57 vjeç thuhet të jetë autori i dyshuar i cili pasi është ndaluar nga disa banorë të zonës, është dorëzuar në polici, ku ndodhet në paraburgim.

Sipas mediave italiane, ai ka një histori mosmarrëveshjesh me disa nga banorët e bllokut dhe para se të qëllonte me një pistoletë të cilën e mori në poligon, ai ka bërtitur duke thënë:”Unë do t’ju vras të gjithëve”

Nga personat e plagosur, besohet të jenë dy gra dhe dy burra, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Kryeministrja Giorgia Meloni tregoi se një nga gratë e vrara ishte mikesha e saj Nicoletta Golisano. Emrat e grave të tjera të vdekura janë Elisabetta Silenzi dhe Sabina Sperandio.

Në një postim në Facebook, ku i dërgoi ngushëllimet familjes Golisano, kryeministrja Meloni tha se do ta kujtonte gjithmonë shoqen e saj ashtu siç ishte: “e bukur dhe e lumtur”.

“Nicoletta ishte një nënë mbrojtëse, një shoqe e sinqertë dhe e matur, një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Por mbi të gjitha ajo ishte një profesioniste me një ndjenjë detyre jashtë të zakonshmes… Nikoletta ishte shoqja ime. Nuk është e drejtë të vdesësh kështu. Nicoletta ishte e lumtur dhe e bukur me fustanin e kuq që bleu për festën e saj të 50-vjetorit disa javë më parë. Për mua ajo do të jetë gjithmonë e bukur dhe e lumtur kështu.”

Policia ende nuk ka publikuar detaje nga ngjarja por përjashtohet që motivi të ketë qenë politik.

Raportet sugjerojnë se i dyshuari dhe bordi i banorëve të pallatit kanë qenë të përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër prej disa kohësh.

Giorgia Meloni, udhëheqëse e partisë së ekstremit të djathtë të Italisë, “Vëllezërit e Italisë”, u bë kryeministrja e parë femër e vendit në muajin tetor.

*Tibo News

You don't have permission to register