Të shtënat në ‘Don Bosko’, vritet aksidentalisht punonjësja e lokalit

Një grua ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në zonën e Don Boskos në kryeqytet, pasi autorë ende të paidentifikuar kanë qëlluar në ambientet e një lokali.

Mësohet se viktima ka qenë punonjëse e lokalit, ndërsa 5 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Mes tyre është një fëmijë 10 vjeç, që ka marrë plumb në këmbë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës.

Mimoza Paja kishte 10 ditë që kishte filluar punë në lokalin e Fatjon Muratit. 58 vjeçarja, e cila punonte si banakiere u vra aksidentalisht nga të shtënat me armë.

Nga hetimet rezulton se Fatjon Murati është larguar nga Kosova për në Turqi.  Pas ngjarjes, është gjetur i djegur një automjet tip “BMW” në zonën e Bubqit që dyshohet të jetë makina e autorëve.

Brenda automjetit totalisht të shkrumbuar, janë gjetur dy armë zjarri të llojit kallashnikov.

Dyshohet se mjeti dhe armët janë përdorur në ngjarjen në lokalin në “Don Bosko”

Nuk dihet ende nëse të shtënat lidhen me ndonjë konflikt të pronarit të lokalit me autorët e ngjarjes.

Njoftimi nga policia: 

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.