
Të rinjtë në botë organizojnë protesta kundër ngrohjes globale
Qindra nxënës, studentë dhe të rinj protestuan këtë javë përballë parlamentit në Wellington të Zelandës së Re.
Të udhëhequr nga lëvizja studentore “Friday for Future” protestuesit brohoritën për disa orë me parulla dhe pankarta ku binin në sy mbishkrimet, “Ky është mësimi i duhur”, “Nëse jo tani, kur?” dhe “Unë mbështes ata që qëndrojnë”.
Lëvizjet janë udhëhequr nga kryetari i Partisë së Gjelbër, James Shaw, i cili mbajti gjithashtu një fjalim përpara grupit protestues ku kërkoi që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe politikat e përgjithshme të ndryshojnë sa më shpejt për t’iu afruar të ashtuquajturit “Akti Zero Karbon”.
Përveç Wellingtonit, qytete të tjera të Zelandës së Re duke përfshirë Auckland, Christchurchin dhe New Plymouthin zhvilluan gjithashtu demonstrata, marshime dhe mitingje për të tërhequr vëmendjen ndaj ngrohjes globale dhe për të kërkuar veprim sa më të shpejtë nga udhëheqësit.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Korenë e Jugut, Britani, Australi dhe Brazil.