Të mos injorohet dhuna ndaj grave në Iran, apelon Hillary Clinton

Hillary Clinton ka bërë thirrje që Perëndimi të mos e injorojë dhunën që po u bëhet grave në Iran.

Në një deklaratë publike, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, tha që mediat por dhe shtetet e angazhuara për të drejtat e njeriut, nuk duhet të harrojnë apo injorojnë goditjen sistematike që po u bëhen grave dhe vajzave iraniane.

Ajo shkoi më tej duke këmbëngulur se “lufta e tyre është lufta jonë” dhe se “gjithçka po ndodh në Iran ka lidhje direkte me kauzat kryesore për të cilat angazhohet Perëndimi si liria, e drejta e shprehjes dhe sidomos të drejtat e grave dhe vajzave”.

Hilton doli zëshëm “pro kauzës së iranianëve” duke u shprehur se sjellja e regjimit të Teheranit nuk duhet toleruar.

Prej muajit shtator Irani është përfshirë nga protesta të dhunshme, që erdhën si rrjedhojë e vdekjes në qeli të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila qe arrestuar për shkak të veshjes në shkelje të normave fetare.

Edhe pse nuk ka shifra të konfirmuara, organizatat dhe aktivistë të ndryshëm raportojnë për rreth 400 të vrarë dhe mbi 12,500 të arrestuar që nga nisja e protestave.