
Të hënën në Hagë, vazhdon sërish gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në tri ditë të kësaj jave është intervistuar dëshmitarja e parë e prokurorisë, e cila ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.
Ajo është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së si dhe të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit. Seanca gjyqësore do të vazhdojë të hënën më 17 prill nga ora 09:00, ndërsa janë paraparë seanca për katër ditë me radhë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.