Të hënave ndodhi më shumë aksidente

E hëna rezulton dita me më shumë aksidente sa i përket muajit prill. Këtë ka treguar Instituti i Statistikave, në një bilanc të ngjarjeve rrugore. Sipas të dhënave, 23,5% e aksidenteve kanë ndodhur të hënën ndërsa ditën e shtunë kanë ndodhur 9.8% të rasteve.

Numri më i lartë ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00. Gjatë muajit të shkuar, sipas INSTAT janë shënuar 123 aksidente rrugore, me 164 qytetarë të përfshirë, të plagosur dhe të vrarë. Këto shifra tregojnë një rritje aksidenteve, pasi gjatë muajit prill të 2023 janë shkaktuar 69 aksidente rrugore me 94 të vrarë dhe plagosur.

Ngjarjet rrugore në 84% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, kryer nga grupmosha 25-34-vjeç.

Të dhënat në rritje raportohen edhe sa i takon 4 mujorit.

Nga janari në prill të këtij viti janë shkaktuar 500 aksidente rrugore me 689 të vrarë dhe plagosur.

Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë regjistruar 332 përplasje mjetesh me 454 të vrarë dhe të plagosur.