Të flasësh me fëmijën për luftë duhet kujdes! Rasti i Ukrainës dhe disa këshilla nga psikologët

Ndërsa situata në Ukrainë po tensionohet për shkak të sulmeve që ka nisur Rusia prej tre ditësh, fëmijët mund të shohin pamje dhe të dëgjojnë lajme të ndryshme, që mund t’i fusë ata në ankth, në frikë, në pasiguri. Psikologët e Save the Children paralajmërojnë prindërit që të adrësojnë të gjitha ndjesitë e fëmijëve në raste të tilla.

Ane Lemche, një psikologe dhe këshilltare për fëmijët në Save the Children, thotë se fëmijët në gjithë botën mund të mos e kuptojnë plotësisht se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe mund të kenë pyetje  në lidhje me imazhet, tregimet dhe bisedat ndaj të cilave janë ekspozuar.

Studimet e mëparshme për konflikte të tilla si Iraku dhe Siria kanë zbuluar se fëmijët terrorizohen nga bombardimet dhe sulmet ajrore, shqetësohen për të ardhmen, dhe fillojnë të refuzojnë të shkojnë edhe në shkollë. Kjo për shkak të rëndesës emocionale.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të jetë e frikshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Injorimi ose shmangia e temës mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të humbur, të vetëm dhe edhe më të frikësuar, gjë që mund të ndikojë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Është thelbësore të kemi biseda të hapura dhe të sinqerta me fëmijët për t’i ndihmuar ata të përpunojnë  informacionin mbi atë që po ndodh,” tregon psikologia.

Ekspertët ndajnë pesë mënyra dhe këshilla që prindërit apo më të rriturit mund të përdorin për t’iu qasur bisedës me fëmijët:

1-Gjeni kohë dhe dëgjoni me vëmendje kur fëmija dëshiron të flasë

Jepuni fëmijëve hapësirën për t’ju thënë se çfarë dinë, si ndihen dhe për t’ju bërë pyetje. Ata mund të kenë krijuar një përshtypje krejtësisht ndryshe të situatës nga ju. Merrni kohë për të dëgjuar atë që ata mendojnë dhe çfarë kanë parë ose dëgjuar.

2-Përshtateni bisedën me fëmijën

Kini parasysh moshën e fëmijës kur i qaseni bisedës me të. Fëmijët e vegjël mund të mos kuptojnë se çfarë do të thotë konflikt apo luftë dhe kërkojnë një shpjegim të përshtatshëm për moshën që kanë. Kini kujdes që të mos e shpjegoni shumë situatën ose të mos hyni në detaje, pasi kjo mund t’i bëjë ata ankthiozë. Fëmijët më të vegjël mund të qetësohen vetëm duke kuptuar se ndonjëherë vendet luftojnë. Fëmijët më të rritur kanë më shumë gjasa të kuptojnë se çfarë do të thotë lufta, por mund të përfitojnë ende nga biseda me ju për situatën. Në fakt, fëmijët më të mëdhenj shpesh do të shqetësohen më shumë nga biseda për luftën, sepse ata priren t’i kuptojnë rreziqet më mirë sesa fëmijët më të vegjël.

3-Fokusohuni tek ndjesitë e tyre

Është shumë e rëndësishme të fëmijët të ndihen se jeni të fokusuar tek ata. Nuk duhet të ndihen të gjykuar ose shqetësimet e tyre të hidhen poshtë pa një shpjegim të qartë. Kur fëmijët kanë mundësinë të kenë një bisedë të hapur dhe të sinqertë për gjërat që i shqetësojnë, kjo mund të krijojë një ndjenjë lehtësimi dhe sigurie.

4-Sigurojini ata se të rriturit në mbarë botën po punojnë shumë për ta zgjidhur këtë konflikt.

Kujtojuni fëmijëve se ky nuk është problemi i tyre për t’u zgjidhur. Ata nuk duhet të ndihen fajtorë. Qëndroni të qetë teksa shpjegoni më në brendësi të situatës. Fëmijët shpesh kopjojnë ndjenjat e prindërve apo kujdestarëve të tyre – nëse nuk jeni të qetë për situatën, shanset janë që edhe fëmija juaj të jetë tepër i shqetësuar.

5-Jepu atyre një mënyrë praktike për të ndihmuar

Mbështetni fëmijët që duan të ndihmojnë. Fëmijët që kanë mundësinë të ndihmojnë të prekurit nga konflikti mund të ndihen sikur janë pjesë e zgjidhjes. Fëmijët mund të bëhen shkak i një reagimi të madh, për ndihmë dhe mbledhje fondesh, t’u dërgojnë letra vendimmarrësve lokalë ose të bëjnë vizatime që kanë në synim paqen.

Save the Children ka operuar në Ukrainë që nga viti 2014, duke ofruar ndihma thelbësore humanitare për fëmijët dhe familjet e tyre. Kjo përfshin mbështetjen e aksesit në arsim, shpërndarjen e veshjeve dimërore dhe kompleteve të higjienës si dhe ofrimin e granteve në para për familjet. Specialistët dhe psikologët mbështesin fëmijët që të kapërcejnë ndikimet mendore dhe psikologjike të përvojave të tyre të konfliktit dhe dhunës dhe të rrisin aftësinë e tyre për të përballuar stresin në jetën e tyre të përditshme.