
Të djathtët serbë, me simbole të Wagner-it, protestojnë kundër dialogut me Kosovën
Djathtistët serbë janë mbledhur në Beograd më 15 shkurt për të protestuar kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën.
Në këtë protestë u panë edhe simbolet e grupit mercenar rus, Wagner. Po ashtu, protestuesit kanë brohoritur mesazhe ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksander Vuçiç.
Kreu i “Patrullës së Popullit”, Damjan Knezeviç, gjatë adresimit para protestuesve tha se askush në partinë udhëheqëse në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe, “nuk mund ta quajë veten serb”.
Knezeviç iu adresua edhe gazetarëve të mediave të huaja në gjuhën angleze, duke thënë se pjesëmarrësit në këtë ngjarje “preferojnë propozimin rus” për Kosovën dhe jo atë evropian.
Disa orë para protestës, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar dy persona – të cilëve u janë gjetur armë –që ishin nisur për të marrë pjesë në ngjarjen në Beograd.
Në deklaratën për media u tha se gjatë arrestimit, atyre u është gjetur një armë dhe municion.
“Patrulla e Popullit”, përmes kanalit të saj në Telegram, konfirmoi se dy anëtarë të kësaj organizate janë arrestuar.
“Patrulla e Popullit” është organizatë që njihet për veprime kundër migrantëve dhe për organizimin e ngjarjeve në Beograd në mbështetje të Rusisë, pasi Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.