Të ardhurat nga taksa e qarkullimit, 18 herë më shumë se fondet për mirëmbajtjen e rrugëve

Të ardhurat nga taksat e automjeteve, duke përfshirë edhe taksën e qarkullimit mbi karburantin, arritën 26.7 miliardë lekë në vitin 2021 me një rritje 13% në krahasim me vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga vlera e totale e taksave që paguan automjetet, 73 për qind ishin të ardhura që u siguruan nga arkëtimet e taksës së qarkullimit. Të ardhurat nga taksa e qarkullimit u rriten me 15.6 për qind në vitin 2021, kryesisht prej rritjes së konsumit pas pandemisë Covid-19.

Taksa e qarkullimit e cila vilet tek nafta ka si qëllim grumbullimin e fondeve për të investuar dhe mirëmbajtur infrastrukturën rrugore të vendit, po qeveria shqiptare historikisht ka investuar në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore shumë më pak se arkëtimet. Fondet e brendshme për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore nw  2021 ishin 1,1 miliardë lekë ose 18 herë më të ulëta se të ardhurat nga taksa e qarkullimit. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin aktualisht është në masën 27 lekë/litër. Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë. Taksa paguhet nga qytetarët gjatë furnizimit me naftë ose benzinë në pikat e tregtisë me pakicë. Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës. Të ardhurat nga taksa e qarkullimit zënë rreth 9% te të ardhurave tatimore.