Të ardhurat në ulje, Ocado rishikon pritshmëritë për vitin 2022

Ocado, rrjeti i produkteve teknologjike online në Britani të Madhe, ka rishikuar me pritshmëri negative të ardhurave vjetore për vitin 2022. Megjithatë grupi ka theksuar se nuk do të tërhiqet nga projektet e investimeve.

Periudhën e fundit rrjeti ka përqendruar investimet te rinovimi dhe automatizimi i magazinave duke sjellë një efekt domino kryesisht në tregun e punës, por edhe në bursa. Aksionet e Ocado-s ranë me 9.2% gjatë së martës duke rritur më tej humbjet që vijojnë nga viti 2021.

Kjo situatë ka shqetësuar ndjeshëm investitorët, të cilët paralelisht janë në një çështje gjyqësore me rivalin norvegjez AutoStore në lidhje me të drejtat e disa produkteve.

Vitin e shkuar Ocado raportoi tkurrje me 12.1% të fitimeve. Arkave të grupit i munguan rreth 60 milionë paundë fitime nga mbi 2.5 miliardë paundë xhiro të raportuar. Për t’i rritur vlerën aksioneve, grupi nxiti një valë investimesh kryesisht në rrjetin e magazinave, mirëpo kjo lëvizje nuk është përkthyer detyrimisht me pritshmëri pozitive për vitin 2022.

Ocado parashikonte rritje me të paktën 90 milionë paundë të të ardhurave për këtë vit. Por duke parë prirjen e tregjeve dhe situatën e grupit, ky parashikim është tërhequr.

Rrjeti i produkteve online njoftoi si arritje pozitive sigurimin e bashkëpunimit me grupet e supermarketeve në 8 vende të botës si Kroger (SHBA), Aeon (Japoni), Kazino (Francë) dhe Coles (Australi).