Tava e dheut, ja si të përgatisni pjatën tradicionale të kryeqytetit

Tava e dheut me mish është një nga gatimet më të dashura dhe tradicionale të kryeqytetit. Zakonisht jemi mësuar që ta konsumojmë jashtë, por pasi t’ju tregojmë sa e thjeshtë është për t’u përgatitur, me shumë mundësi do të provoni t’a bëni në kuzhinën tuaj.
Përbërësit:

  • 30 gram qepë;
  • 30 gram spec i kuq (djegës);
  • 30 gram spec jeshil;
  • 70 gram mish viçi;
  • 30 gram gjizë;
  • 50 gram salcë domatesh;
  • 10 gram miell;
  • 3 gram majdanoz;
  • 2 gram kripë;
  • 2 gram piper;
  • pak gjalpë;
  • gjysmë thelbi hudhër;
  • vaj ulliri.

Udhëzimet

-Për përgatitjen e tavës së dheut, si fillim presim mishin në kubikë të vegjël.

-Më pas grijmë në rende qepën dhe specin jeshil.

-Në një tenxhere hedhim pak vaj ulliri dhe hedhim qepën, mishin dhe specin

-I shtojmë edhe miellin dhe i kaurdisim deri në momentin që të marrë një ngjyrë të kuqërremtë.

-Më pas i shtojmë salcën e domates, specin e kuq djegës, që më parë e kemi grirë në rende dhe pasi i kaurdisim përbërësit, shtojmë pak ujë dhe gjizë dhe i lemë të ziejnë për 2-3 min. Pas zierjes e heqim tenxheren dhe e lemë mënjanë.

-Marrim tavën e dheut, e lyejmë me gjalpë dhe e vendosim në sobë, në mënyrë që të nxehet sa më shumë.

-Në momentin që tava është zier, i hedhim përzierjen e përgatitur dhe e fusim në furrë për 5 minuta në temperaturën 200 gradë.

-Pasi nxjerrim tavën nga furra, ajo është gati për t’u shërbyer.

Ju bëftë mirë!