Taksitë fluturuese po vijnë, një hap drejt të ardhmes

Të heshtura dhe ekonomike… Taksitë fluturuese po vijnë, një hap drejt të ardhmes.

“Ne po ndryshojmë mënyrën se si do të lëvizim në qytetet tona në të ardhmen”, deklaron Kristian Baurer, themeluesi i start-upit gjerman Volocopter. Ai është mjaft i entuziazmuar me testimet e fundit të modelit të tij Volocity, i cili do të zhvillojë fluturimet e para komerciale gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024.

“Sot, kemi përfunduar fluturimin testues këtu në Le Bourget… një fluturim krejtësisht elektrik. Njerëzit që ishin mblodhur poshtë ishin të mahnitur, pasi nuk dëgjonin asgjë nga mjeti… Këtu, shikojmë avionë të mëdhenj dhe dëgjojmë zhurmën e tyre, por volokopteri nuk shkakton asnjë zhurmë. Kjo po ndryshon mënyrën se si udhëtojmë në qytetet urbane në të ardhmen.”

Në Paris Air Show, këto taksi të reja fluturuese, të cilat do të dalin në treg shumë shpejt, po tërheqin vëmendjen larg helikopterëve, të cilët janë të shtrenjtë, të zhurmshëm dhe të vështirë për t’u mirëmbajtur. Vetë panairi synon të hapë një dritare drejt të ardhmes, ndërsa projekte të taksive fluturuese dhe mjeteve ajrore me ngritje vertikale janë të shumta.

Në kuadër të ekspozitës, janë prezantuar disa prototipe. Le Bourget vjen si një forum për publikimin e marrëveshjeve të reja, duke pritur rreth 2500 kompani që prezantojnë avionë, drone, helikopterë dhe prototipe të tyre më të fundit. Me një hapësirë ekspozimi prej 125 mijë metrash katrorë, pritet të ketë rreth 320 mijë vizitorë gjatë këtij eventi, i cili do të zgjasë një javë.

“Pasioni për qiellin ende nuk është shuar, dhe ky është një lajm i mirë”, thotë Bertrand Godinot, drejtor i easyJet.