
Tajfuni Nanmadol godet Japoninë, ngrihet alarmi ‘special’
Një nga tajfunet më të mëdhenj që ka goditur ndonjëherë Japoninë, ka rënë në tokë në ishullin jugor të Kyushu.
Tajfuni Nanmadol ka sjellë erëra prej të paktën 180 km/h dhe disa zona mund të kenë 500 mm reshje shiu gjatë ditës së sotme.
Të paktën katër milionë njerëzve u është thënë të evakuojnë shtëpitë e tyre.
Priten përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu, ndërsa shërbimet e trenave, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar.
Tajfuni arriti në tokë pranë qytetit të Kagoshima, në majën jugore të Kyushu, mëngjesin e sotëm.
Kyushu është më jugori nga katër ishujt që përbëjnë pjesën kryesore të Japonisë dhe ka një popullsi prej më shumë se 13 milionë njerëz.
Autoritetet kishin lëshuar një “alarm special” për ishullin, i pari i vendosur ndonjëherë jashtë prefekturës Okinawa, i cili përbëhet nga ishujt më të vegjël dhe të largët japonezë në Detin e Kinës Lindore, r
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se Nanmadol do të sillte shira të rrëmbyeshëm, stuhi përgjatë bregdetit dhe erëra aq të fuqishme sa që ekzistonte rreziku që shtëpitë mund të shemben.
Tajfuni tani po lëviz në veri nëpër Kyushu, duke lëshuar sasi të mëdha shiu në qendrën malore të ishullit.
Ai pritet të udhëtojë lart përmes Japonisë qendrore drejt Tokios gjatë ditëve në vijim dhe të ruajë pjesën më të madhe të fuqisë së tij ndërsa lëviz.
Kërcënimi më i madh për jetën dhe pronën është nga shiu, i cili tashmë po shkakton ngritjen e lumenjve dhe rrëshqitje dherash.
Autoritetet u kanë thënë njerëzve në mbarë Kyushu-në që të kërkojnë strehim në strehimore.
Nanmadol është tajfuni i 14-të i Paqësorit këtë sezon, dhe deri tani më i madhi që ka goditur Japoninë.
Vendi është i përgatitur për t’u përballur me stuhi të tilla, por shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po i bën ato më të mëdha dhe më shkatërruese.
*Tibo News