
“Sunny Hill Festival 2022” zhvendoset në Tiranë
Festivali Sunny Hill këtë vit nuk do të organizohet në Prishtinë, por në Tiranë dhe këtë e ka lajmëruar Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali.
Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Në letrën që ai ua ka dërguar krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë institucionalë, të cilën e ka publikuar në Facebook, thuhet se edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare për dhënien e një hapësirë në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë, sipas tij, ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.
“Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”.
“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022”.
Sipas tyre lënda nuk ka qenë e kompletuar dhe konfrom ligjit kanë kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës.
Këtu bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite.
Dukagjin Lipa tha se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit i festivalit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurosh si dobi direkte për imazhin e shtetit, si dhe ka sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e Prishtinës.
Ky festival u themelua nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.
Edicioni i tretë i festivalet ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022.
Por, tashmë në këto data i njëjti është zhvendosur në Tiranë.