Sundimi i njeriut mbi njeriun në “Elektroshok”

Festivali i të rinjve rikthehet me një numër të konsiderueshëm shfaqjesh për të gjithë artdashësit, ku një prej tyre është “Elektroshok”, nën regjinë e Sara Smajas dhe autorit Tobias Xhaxhiut, e cila na kthen në një regjim totalitar, vënë në skenë për herë të parë.

Festivali i të rinjve sjell Sara Smajën dhe Tobias Xhaxhiun. Shfaqja ka në qendër mungesën e lirisë së fjalës, të artistit specifikisht, por edhe të njeriut në përgjithësi.

Sara Smaja, regjisore e kësaj shfaqje e kondsideron “Elektroshokun” ambjent reflektimi, mendimi, ngjallje debati.

“ Është një shfaqje e vënë për herë të parë në Shqipëri nga një autor i ri shqiptar, një dramaturg shumë i talentuar që mendoj që do jetë pjesë e skenës në vazhdim. Është një lindje e një dramaturgjie të re moderne, me shumë mendim brenda.” – u shpreh regjisorja

Kur Roberti, dramaturgu më i famshëm i Federatës, tentoi të vetëvritej për t’i shpëtuar torturave të Shërbimit Sekret, një ftesë e papritur në rezidencën e Liderit Suprem e shpëton atë në çastin e fundit. Kjo ftesë do e kthejë fatin në favor të tij, por me një çmim. Atje ai do të përballet me një vendim që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm ndërgjegjen e tij si artist, por edhe vetë fatin e njerëzimit.

Për Sarën, liria e fjalës është shumë e rëndësishme dhe mesazhi qëndron pikërisht aty.

“Mesazhet mendoj që janë shumë të qarta në vepër, frika nga ajo çfarë mund të na vijë në një të ardhme, të largët apo të ardhme, por frika nga politika, nga një regjim totalitar, se si mund të na mohohet liria të gjithëve pak nga pak, artistëve kryesisht siç ka dhe vepra, por edhe njerëzve në përgjithësi,”-tregoi Smaja.

Të punuarit me profesionistë të fushës ka gjithmonë më shumë lehtësira, por për Sarën, puna me të rinjtë ishte një sfidë e cila u realizua me sukses dhe njëkohësisht u shpreh për Tibo News se hapësira për të rinjtë që bëjnë art përveçse duhet të ekzistojë, duhet të shtohet.

“Unë mendoj që kemi të rinj shumë të talentuar dhe u duhet dhënë hapësirë dhe mendoj që ky festival do e arrijë qëllimin e tij, që të rinjtë janë aty, bëjnë art dhe duhet të jenë njësoj me pjesën tjetër,”- shtoi regjisorja.

Tobiasi është një dramaturg i ri dhe i talentuar i cili ka treguar edhe herë të tjera punë të suksesshme, i radhës ishte “Elektroshok” i cili kishte lindur tek ai vite më parë.

“Ishte thirrja e bërë nga Teatri Ekperimental dhe dëshira e regjisores Sara Smaja për të marrë pjesë në Festival, ajo që më shtyu për ta konkretizuar veprën dhe për ta sintetizuar dhe për ta përshtatur më shumë me aktualitetin politik botëror me tema të mëdha si pushteti, marrëdhënia e artistit me diktaturën,” – ka thënë Xhaxhiu.

Për një autor, copëzimi i pjesëve për kalimin e nje vepre në teatër është paksa e vështirë të shihet, por ky nuk është rasti. Puna mes Tobiasit dhe Sarës për dhënien jetë të “Elektroshok” ka qenë një bashkëpunim i kënaqshëm duke qenë se ata kanë gjetur frymën e të punuarit bashkë.

“Elektroshok” u vu në skenë si pjesë e projektit të Festivalit të të Rinjve dhe si i tillë është planifikuar të shfaqet gjatë datave 5 deri më 9 tetor, por regjisorja la të hapur mundësinë e një rikthimi nëse publiku do vazhdonte të interesohej, pasi  sipas saj është pjesë që meriton të dëgjohet për shkak të tematikës.

“Urojmë shumë. Ngaqë jemi pjesë e festivalit e mbyllim të dielën. Urojmë shumë që njerëzit të duan ta shohin dhe ne të kemi mundësi ra japim. Me shumë mundësi do ta japim edhe në qytete tjera. Mendoj që është pjesë që të paktën duhet dëgjuar, por edhe duhet parë dhe reflektuar në këtë pjesë. Ne jemi shumë të hapur ta japim nëpër rrethe, festivale, ku të jetë mundësia,” – përmbylli regjisorja Sara Smaja.