Sulmuesi Daku kërkon ndjesë pas ndeshjes me Kroacinë: Falja është burrërore

Në rrjetet sociale shpërtheu një video teksa sulmuesi i Shqipërisë Mirlind Daku shihet duke iu bashkuar thirrjeve ofenduese ndaj popullit të Maqedonisë së Veriut.

Videoja e shpërndarë kudo bëri që Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut të kërkonte të merreshin masa ndaj sulmuesit Daku, i cili duhej të kërkonte edhe falje.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Sulmuesi i Kombëtares bëri një postim në rrjetet sociale teksa u shpreh se ndjen detyrim moral dhe profesional të kërkonte ndjesë, nëse ka ofenduar dikë pas ndeshjes me Kroacinë. Ai tha se gjithçka ka ndodhur si pjesë e emocioneve pas barazimit të ndeshjes me Kroacionë.

Postimi i Mirlind Daku-t:

“Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.

Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”.

Ndeshjet e Kampionatit Europian të Futbollit mund t’i ndiqni në platformën TIBO, në cilësinë me maksimale, për shqiptarët kudo në botë.