Sulmohen “Mullinjtë” e impresionizmit

Dy aktivistë gjermanë janë arrestuar pasi dëmtuan një nga kryeveprat e impresionizmit, “Les Meules”, duke hedhur një substancë që autoritetet përcaktuan se ishte pure patatesh, teksa ndodhej në muzeun e Potsdamit në Gjermani.

Tendenca e re e organizatave radikale mjedisore duket se është shkatërrimi i kryeveprave artistike.

Aktivistët arritën të shpërndajnë në Twitter para arrestimit videon e sulmit, si dhe apelin e tyre për ndërgjegjësim për ndryshimet klimatike.

Sipas autoriteteve, ende nuk është përcaktuar vlera e dëmit për një vepër që vetëm pak kohë më parë është shitur në një ankand në Nju Jork për shumën 110.7 milionë dollarë.

E pikturuar në 1890 nga mjeshtri i peizazhit Claude Monet, vepra vendosi një rekord të të gjitha kohërave për lëvizjen impresioniste.

Sulmit ndaj “Les Meules” i ka paraprirë pak ditë më parë diçkaje të ngjashme, këtë herë në Londër.

Aty aktivistët e “Just Stop Oil” sulmuan me salcë domateje kryeveprën “Sunflower”, të ekspozuar në Galerinë Kombëtare.