Sulmi në Moskë, salla e koncerteve raportohet të jetë përmendur në paralajmërimin e SHBA

Paralajmërimi i inteligjencës amerikane ndaj Moskës dy javë para sulmit vdekjeprurës terrorist të 22 marsit përfshiu edhe referencë specifike për sallën e koncerteve Crocus, që u shënjestrua, raportoi The Washington Post më 2 prill.

Sipas raportimit, që më pas u konfirmua nga New York Times, zyrtarët amerikanë i thanë Moskës se Shteti Islamik po planifikonte një sulm dhe se salla e koncerteve Crocus ishte një cak i mundshëm. Në paralajmërim nuk u përfshin specifika të tjera apo koha e sulmit, por u tha se sulmi mund të kryejë brenda ditësh, thanë burime të inteligjencës për dy gazetat amerikane.

Katër sulmues të armatosur sulmuan sallën Crocus, që gjendet në periferi të Moskës, pak para se të niste një koncert, duke vrarë 144 persona. Ky ishte sulmi terrorist më vdekjeprurës në Rusi që nga viti 2004. Shteti Islamik i shpallur grup terrorist, menjëherë mori përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e komentatorë të tjerë rusë kanë pretenduar, pa ofruar dëshmi, se Ukraina mund të ketë luajtur një rol në sulm. Zyrtarët ukrainas kanë mohuar çdo përfshirje dhe kanë akuzuar Moskën se po përdor tragjedinë për të intensifikuar luftën e saj kundër Kievit.

Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme, SVR, tha për Interfaxin më 2 prill se paralajmërimet amerikane ishin “shumë të përgjithshme” për t’i mundësuar Rusisë që të parandalonte sulmin.

Po të njëjtën ditë, Putin tha se organizatorët e sulmit në Crocus dëshironin “të mbillnin fara të mospajtimit dhe panikut… në shtetin tonë dhe ta mposhtin Rusinë nga brenda”. Paraprakisht, ai kishte akuzuar SHBA-në dhe shtetet e tjera perëndimore se kanë qëllime të ngjashme. Ai u bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të identifikojnë “përfituesit kryesorë kriminalë” të këtij sulmi.

Sulmi në Crocus është një dështim i madh i forcave të sigurisë së Rusisë, që kritikët thonë se janë të përqendruara në shtypjen e mospajtimit politikë brenda vendit dhe kundërshtimit të luftës kundër Ukrainës, shpesh duke i cilësuar opinionet politike si “terrorizëm” dhe “ekstremizëm”.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë më 3 prill tha se rekrutimi ushtarak është rritur ndjeshëm që nga sulmi, me 16.000 persona që raportohet se kanë nënshkruar kontrata ushtarake në dhjetë ditët paraprake.

“Shumica e kandidatëve kanë shprehur dëshirën për hakmarrje për viktimat e tragjedisë… si motivin kryesor për të nënshkruar një kontratë”, u tha në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes./REL