Sulmi ndaj avokatit Mëngjesi, dëshmon njëri prej të ndaluarve: E ndoqëm për disa ditë

32 vjeçari Dorian Alia vetëdorëzohet në polici pas sulmit të avokatit Sokol Mëngjesi. I riu ka pranuar akuzat që janë ngritur ndaj tij. Në dëshminë e tij Alia ka thënë se ka qenë pjesë e sherrit dhe se e  ka goditur vetëm një herë avokatin me grusht.

I pyetur për mënyrën e organizimit të dhunës, Alia është shprehur se e kanë ndjekur prej disa ditësh avokatin. Autorët kanë qëndruar në kontakt me njëri-tjetrin për koordinimin e sulmit.

Sipas tij, ata nuk kanë pasur qëllim t’i shkaktojnë dëmtime të rënda. Organizator i këtij sulmi dyshohet të jetë Dritan Nano, 58-vjeç i cili është shoqëruar me iniciativë nga policia. Ai nuk ka qenë shumë bashkëpunues, por ka pranuar konfliktin që ka pasur me avokatin.

Sipas policisë, Sokol Mëngjes u godit për shkak të detyrës. Ai ka përfaqësuar në një proces civil një familje që kishte trashëguar një pronë në Tiranë.

Procesi është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Por disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore, gjë që çoi në konfliktin me pasoja të rënda.

Nga hetimet e kryera deri më tani, dyshohet se autorët nuk kanë qenë të paguar, por janë të njohurit e organizatorit të sulmit.

Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim Elton Kasaj e Drivald Alia që kanë marrë pjesë në sulm, si dhe Romario Tabaku, i cili ka ndihmuar autorët të largohen nga vendi i ngjarjes.

Policia ka zhvilluar kontrolle në banesat e tyre. Autoritetet dyshojnë se ata mund të kenë lëvizur jashtë Tiranës.

Avokati Sokol Mëngjesi ndodhet në gjendje të rëndë në spital për shkak të goditjeve të rënda që ka marrë.

Në intubim për shkak të dëmtimeve, Saimir Vishaj reagon për sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi