
Sulmi me armë në shkollën ruse shkakton 13 viktima, mes tyre 7 fëmijë
13 persona janë vrarë dhe 21 të plagosur, pas një sulmi me armë në një shkollë në Rusinë Qendrore.
Mediat tregojnë se viktimat përfshijnë 7 fëmijë nga shkolla me 1000 nxënës në qytetin e Izhevsk, gjithashtu, dy roje sigurie, dy mësues e dy persona të rritur që ndodheshin pranë shkollës.
Deri më tani mësohet se autori i armatosur, pas krimit të sotëm i ka dhënë fund edhe jetës së tij për motive të paqarta.
Mediat ruse kanë postuar video të cilat tregojnë panikun brenda ndërtesës ku ndodhën të shtënat.
Dyshohet se sulmuesi ende i paidentifikuar ka qenë i armatosur me dy pistoleta. Ai është filmuar i shtrirë në tokë, i pajetë, veshur me një bluzë me simbolin nazist dhe një kapuç në kokë.
Shkolla ndodhet në qendër të Izhevsk, një qytet me rreth 650,000 banorë, afër ndërtesave të qeverisë qendrore.
Kreu i qarkut ka shpallur periudhë zie deri më 29 shtator.
*Tibo News