
Sulmet ndaj lirisë së fjalës po rriten në të gjithë SHBA-të
Ekspertët e Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane thonë se sulmet ndaj lirisë së fjalës po përshkallëzohen në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Joe Cohn nga Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale thotë se censura po përhapet dhe po vë në rrezik kulturën amerikane të lirive individuale.
Në Ajdeho, një ekspozitë arti u censurua dhe adoleshentëve iu tha se nuk mund të dëshmonin në disa seanca legjislative. Në shtetin e Uashingtonit, një ligjvënës propozoi një linjë telefonike në mënyrë që qeveria të mund të gjurmonte deklaratat fyese, si dhe krimet me motive urrejtjeje. Në Florida, blogerët po luftojnë kundër një projektligji që do t’i detyronte ata të regjistroheshin në këtë shtet nëse publikojnë kritika kundër zyrtarëve publikë.
Të drejtat që burojnë nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane kanë qenë të qëndrueshme në Amerikë për dekada, tha Ken Paulson, drejtor i Qendrës së Fjalës së Lirë në Universitetin Shtetëror të shtetiut Tenësi. Por vitet e fundit shumë shtete u janë rikthyer taktikave kundër fjalës së lirë, taktika të përdorura shpesh nga senatori Joe McCarthy gjatë fushatës “Frika e Kuqe” e fillimit të viteve 1950.
McCarthy dhe të tjerët u përpoqën t’u mbyllnin gojën kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar si komunistë, ose socialistë, duke përdorur frikën dhe akuzat publike për të shtypur të drejtat themelore të fjalës së lirë. Termi “McCarthyism” u bë sinonim i sulmeve të pabaza ndaj shprehjes së lirë dhe Gjykata e Lartë e SHBA-së i është referuar fenomeneve në disa vendime të lidhura me Amendamentin e Parë.
“Është mjaft befasuese, që kaq shumë politikanë po valëvisin flamurin e lirisë, ndërkohë që bëjnë gjithçka që munden për të shkelur të drejtat e fjalës së lirë të amerikanëve,” tha zoti Paulson.
Megjithatë, asnjë grup politik nuk ka monopol mbi censurën – agresioni po rritet në të gjithë spektrin, tha John Cohn nga Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale.
Gjuha e urrejtjes mund të jetë e dëmshme dhe e neveritshme, por gjithsesi mbrohet nga Amendamenti i Parë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ekspertët që studiojnë ekstremizmin kanë paralajmëruar se retorika e urrejtjes mund të shihet si një thirrje për veprim nga grupet ekstremiste.