Sulm në Paris, plagosen disa persona

Gjashtë persona janë plagosur me një në gjendje kritike pas një sulmi me thikë në stacionin ndërkombëtar Gare du Nord të Parisit mëngjesin e sotëm.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka deklaruar se autori u ndalua nga dy oficerë policie jashtë orarit të punës, të cilët po ktheheshin në shtëpi.

Ai tha se sulmuesi i dyshuar u qëllua tre herë dhe u dërgua në spital me lëndime të rënda. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse ka pasur një motiv për sulmin.

Sulmi ndodhi në orën 06:42, dhe brenda një minute të gjashtë personat u plagosën dhe sulmuesi u ndalua. Darmanin falënderoi policinë për ndërhyrjen e tyre “të guximshme dhe efektive”, e cila tha se shpëtoi shumë jetë.

Në mesin e të plagosurve ishte edhe një oficer i forcës kufitare. Policia nuk e ka ende emrin e personit, i cili nuk kishte dokumente identiteti në momentin që u dërgua në spital.

Policia më herët tha se autori përdori një thikë ose teh për sulmin.

Hetuesit kriminalë kanë marrë kontrollin e çështjes, në vend të policisë anti-terror.

Incidenti shkaktoi vonesa të mëdha mëngjesin e hershëm, me policinë që rrethoi stacionin.

Paris Gare du Nord është një nga stacionet hekurudhore ndërkombëtare më të ngarkuara në Evropë, me rreth 700,000 udhëtarë në ditë.

*Tibo News