Suedia dhe Finlanda aplikojnë zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO

Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushatarake të NATO-s, duke konfirmuar një rivizatim radikal të peizazhit të sigurisë së Evropës, të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga  Rusia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pranoi aplikimet për anëtarësim të fqinjëve nordikë, secili në një dosje të bardhë të stampuar me flamurin e tyre kombëtar në selinë e aleancës mbrojtëse të udhëhequr nga SHBA në Bruksel.

“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë”, iu tha Stoltenberg ambasadorëve të dy vendeve, duke e përshëndetur rastin si “një hap historik” dhe “një ditë të mirë në një kohë kritike për sigurinë tonë”.

Ambasadorët e NATO-s pritet të diskutojnë aplikimet dhe të mund të japin dritën jeshile për hapjen e bisedimeve zyrtare me dyshen për kërkesat e tyre, por Turqia ka ngritur kundërshtime që mund të vonojnë ose madje të prishin procesin.

Të 30 anëtarët e NATO-s duhet të miratojnë zgjerimin, i cili më pas duhet të ratifikohet nga parlamentet e tyre, duke zgjatur deri në një vit. Aleanca ka thënë se dëshiron të lëvizë sa më shpejt që të jetë e mundur duke pasur parasysh kërcënimin e mundshëm rus mbi “kokat” e Finlandës dhe Suedisë.

Ankaraja ka thënë se kundërshtimet e saj janë të rrënjosura në atë që ajo e përshkruan si mbështetjen e Suedisë dhe Finlandës për anëtarët e grupeve militante kurde dhe vendimet e tyre në vitin 2019 për të vendosur embargo të eksportit të armëve ndaj Ankarasë lidhur me operacionet ushtarake të Turqisë në Siri.

Helsinki, Stokholmi dhe aleatët e tjerë perëndimorë kanë thënë se janë optimistë se mund të kapërcejnë kundërshtimet e Turqisë. Shumë analistë besojnë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili përballet me zgjedhjet vitin e ardhshëm, po kërkon lëshime për avantazhin e brendshëm politik dhe nuk ka gjasa që në fund të vërë veton ndaj aplikimeve.

*Tibo News.