Subvencionet, si do të llogariten kompensimet për familjet në nevojë tek ujësjellësit

Familjet në nevojë, apo ato që njihen si kategori në ligjin për asistencën sociale, do të kompensohen për një vlerë 5 m³ ujë në muaj si një sasi minimale jetike.

Ujësjellësit për çdo familje që zbresin këtë shumë nga fatura mujore do të marrin në formën e subvencioneve këtë vlerë nga Agjencia Kombëtare për Ujësjellës-Kanalizimet.

Një udhëzim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë miraton metodologjinë që do të përdoret për shpërndarjen e subvencioneve ku përveç kompensimit që shkon për familjet në nevojë dhe që do të tërhiqet nga ujësjellësit si subvencion merr parasysh edhe pagesën e energjisë elektrike.

Konkretisht në dy pikat e para metodologjia nënvizon se “Subvencioni do të shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (në vijim AKUK) në masën e planifikuar në ligjin vjetor të buxhetit, në përputhje me zërin buxhetor subvencione, me llogari ekonomike (603) dhe të gjithë shtesave të tjera të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave. Subvencioni sipas pikës 1 të kësaj metodologjie do të shpërndahet për të subvencionuar konsumin e parashikuar në pikën 4 të kësaj metodologjie, për kategoritë në nevojë”.

Por cilat janë në fakt këto kategori në nevojë. Sipas nenit 7 të ligjit për asistencën sociale janë pesë kategori të tilla si

a) familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme;

b) jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;

c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;

ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre;

d) viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqëror.

Konkretisht këto kategori do të kompensohen në masën 100% për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 m³/muaj (pesë metër kub në muaj) ujë të pijshëm për kontratë, për të përmbushur nivelin minimal jetik.

Për këto kategori do të subvencionohet edhe tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotur urban. Zbritja për kategoritë e përcaktuara në pikën 3 të kësaj metodologjie bëhet automatikisht në faturën mujore të gjeneruar nga shoqëria përkatëse ujësjellës-kanalizime.

Kompensimi sipas pikës 5 të metodologjisë jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht nëse ato mund të kenë në përbërje persona që përfshihen në më shumë se një nga grupimet e pikës 3 të kësaj metodologjie, apo kanë në përbërje më shumë se një anëtar që i lind e drejta e përfitimit.

Sa i takon subvencioneve dhe ku orientohen ato metodologjia nënvizon se “prioriteti për përdorimin e fondit nga shoqëritë aksionere të ujësjellës-kanalizimeve (rajonale ose jo) është si më poshtë: a) Shoqëritë e përdorin fondin për të akorduar çdo muaj, përmes një zbritjeje 100% në shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të kategorive të përcaktuara në pikën 3 të kësaj metodologjie, deri në masën 5 m³/muaj; Pjesa e mbetur e fondit të subvencionit, nëse do të jetë rasti, do të përdoret nga shoqëritë UK për mbulimin e kostos së energjisë elektrike, me kusht që shoqëritë të kenë mbi 75% të volumit të prodhimit të ujit me ngritje mekanike”.

Vlerësimin për nevojat për subvencion e bën AKUM në bazë të dokumentacionit që paraqitet nga ndërmarrjet e ujësjellësit./N.Maho/ Monitor