Stuhitë e rrezikshme të dimrit godasin Shtetet e Bashkuara

Një stuhi dimërore me borë dhe erëra të forta goditi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga bregu në breg, paralizoi rrugët dhe errësoi rreth 1 milion shtëpi dhe biznese. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për një “stuhi të ftohtë dhe të rrezikshme dimri” deri të shtunën. Deri në 1.5 metra borë mund të bjerë në disa male pranë Los Anxhelosit, duke përbërë një rrezik për ortekët. Si pasojë e stuhisë u mbyllën autostradat ndërshtetërore nga Arizona në Uajoming, shoferët u bllokuan në makina dhe pati ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra qytetarë dhe familje.

Për herë të parë që nga viti 1989, një paralajmërim për stuhi u lëshua për malet e Los Anxheles, Ventura dhe Santa Barbara. Më shumë se 8,000 persona mbetën pa energji elektrike në Arizona. Në veri të SHBA-së, një rajon i mësuar me stuhi të tilla, temperaturat mund të bien deri në minus 32 gradë Celsius. Raportohet se më shumë se 192,000 qytetarë osë familje në Miçigan dhe gati 89,000 në Illinois ishin pa energji elektrike.