Stuhia “Isha” godet Britaninë

Mbretëria e Bashkuar është përfshirë nga moti i keq, teksa në orët e fundit ka patur edhe erëra të forta me shpejtësi 160km/h që kanë prekur pothuajse të gjithë vendin.

Kompanitë e energjisë elektrike kanë raportuar ndërprerje të furnizimit në mijëra shtëpi ndërsa janë anuluar dhe disa shërbime të transportit rrugor për shkak të stuhisë “Isha” që vetëm në orët e para të saj ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Aeroporti i Belfast-it anuloi të gjitha fluturimet për në Britani.

Zyra e Meteorologjisë paralajmëroi banorët në Skoci dhe Irlandë që të mos dalin jashtë dhe të strehohen pasi stuhia sjell erëra kërcënuese për jetën. Ndërkohë, në disa zona shiu i dendur ka bërë që rrugët dhe komunitetet të përmbyten.