Studimi, temperaturat esktreme shtojnë vdekjet nga sëmundjet e zemrës

Vdekjet nga sëmundjet e zemrës ndodhin më së shumti gjatë ditëve me temperatura ekstreme.

Kështu thotë një studim i bërë së fundmi, botuar në revistën “Circulation” të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Studimi ka analizuar më shumë se 32 milionë vdekje të shkaktuara nga sëmundjet kardiovaskulare në 27 shtete të botës në periudhën 1979-2019.

Ai u përqendrua kryesisht në krahasimin statistikor të numri të vdekjeve mes ditëve më të nxehta dhe ftohta të viteve me ditët me temperatura mesatare.

Për çdo 1000 vdekje kardiovaskulare, studiuesit zbuluan se ditët jashtëzakonisht të nxehta shkaktuan 2.2 vdekje shtesë, ndërsa ditët ekstremisht të ftohta 9.1 vdekje shtesë.

Hulumtimi nxjerr si përfundim se temperaturat jashtëzakonisht të nxehta apo të ftohta mund të rrisin rrezikun e vdekjes tek njerëzit me sëmundje të tilla si sëmundjet ishemike, aritmia, goditje në tru apo infrakti.

Në rastin e infrakteve, në ditët ekstremisht të nxehta ato mund të jenë 2.6 herë më fatale, ndërsa në ditët ekstremisht të ftohta deri në 12.8 herë.

Sëmundjet e zemrës janë shkaku më i madh i vdekjeve në mbarë botën, duke qenë përgjegjëse për rreth 16 për qind të vdekjeve totale në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Studiuesit theksojnë në veçanti se ndryshimi i klimës është një faktor shtesë rreziku në vdekjet nga sëmundjet e zemrës, pasi shoqërohet me temperatura më ekstreme.

Ata këshillojnë që në ditët e nxehta personat me sëmundje të zemrës të përpiqen që të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin pikun e vapës, të përdorin sa të munden krem dielli dhe të vishen me rroba të lehta.

Në ditët më të ftohta, enët e gjakut tkurren dhe arteriet koronare ngushtohen ndërsa zemra përpiqet ta mbajë gjakun më në lëvizje për të ruajtur ngrohtësinë e organeve jetësore.

Kjo mund të rrisë presionin e gjakut dhe të rrisë rrezikun e sulmit në zemër apo goditjes në tru.

Gjatë motit të ftohtë, studiuesit rekomandojnë veshjen mirë, por jo shumë rëndë, mjaftueshëm për të mbajtur ngrohtë, veçanërisht gjatë daljeve në mjedis të hapur.

Ata rekomandojnë gjithashtu vaksinën kundër viruseve të dimrit si gripi dhe shmangien e kalorive të tepërta.

*Tibo News.