Studentja ruse përballet me burgun për një ‘story’

Vetëm për një postim në rrjetet sociale një studente ruse rrezikon të përballet me 10 vite burg.

20-vjeçarja Olesya Krivtsova është në arrest shtëpie dhe “krimet” për të cilat ajo është arrestuar, janë postimet në Instragam kundër ofensivës ruse 1-vjeçare në Ukrainë.

Në njërin prej postimeve kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.  Olesja ka treguar edhe arrestimin e tmerrshëm nga efektivët rusë, të cilët i kërkuan asaj të shtrihej në dysheme dhe i vunë prangat.

“Unë po flisja në telefon me nënën time kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme,” kujton Olesya.

Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet,” thotë Olesya.

Studentja e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve.

“Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se ishte e çmendur”, thotë Olesya.

Olesya ka edhe një tatuazh ku është i pikturuar presidenti rus Vladimir Putin si një merimangë, me një mbishkrim Orwellian: “Big Brother po ju vëzhgon”.

Sipas rregullave të arrestit shtëpiak rus, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të përdorë internetin, duke humbur edhe orët mësimore.