Strategjia për stokun e dosjeve në drejtësi, ministri Manja: Lajm i mirë për qytetarët

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shprehur mbështetjen e tij për strategjinë e hartuar nga KLGJ-ja që do t’i japë zgjidhje stokut të dosjeve të prapambetura në gjykata.

Në aktivitetin ku u prezantua kjo strategji, ministri tha se ky është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë të cilët presin vendimet e gjykatave për çështjet e tyre, por njëkohësisht kjo është pozitive edhe për klimën e biznesit.

Ministri Ulsi Manja:

“Strategjia që sot prezantohet hyn drejt e në zemër të problematikës më të madhe që ka sot, që është stoku i dosjeve të pagjykuara të cilat presin me vite verdiktin e drejtësisë së re.

Si ministër Drejtësie, ndihem mirë që vetë KLGJ si qeveri e drejtësisë na bëri sot bashkë të gjithëve aktorët e drejtësisë, përfaqësues të parlametit, ekzekutivit, partnerët tanë ndërkombëtarë, që të bashkëndajmë e të marrin përgjegjësitë që na takojnë në zbatimin e kësaj strategjie por mbi të gjitha për qytetarët që presin që çështjet e tyre të gjykohen.

Mirëadministrimi i sistemit të drejtëisë jo vetëm garanton barazinë por forcon besimin e publikut të drejtësise. Ofrimi i kësaj strategjie nga vetë KLGJ është një lajm i mirë për të gjithë profesionistët e ligjit. Do ta vija theksin te rëndësia që ky dokument ka për Republikën e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE, por në veçanti për qytetarët.

Kryetarja e KLGJ tha pak më parë që presim nga ministri i Drejtësisë sepse kjo strategji kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve që aksesojnë sistemin. Unë mendoj që strategjia do ketë ndikime të mëdha pozitive. Ulja  e numrit të çështjeve të prapambetur do rrisë besimin e qytetarëve te institucionet tona të drejtësisë.

Do ndihmojë edhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve. Qeveria është e përkushtuar të ofrojë mbështetjen e saj.

Kjo strategji duhet të jetë bazament i punës të gjithësecilit prej nesh. Çelësi i suksesit mbetet bashkëpunimi, sinqeriteti dhe besimi se drejtësia është mision i përbashkët. Deri tani qeveria e ka treguar me vepra se ju ka mbështetur. Në këtë proces duhet mirëkuptimi mes 3 pushteteve të pavarura, por ama komunikojnë në funksion të qëllimit të drejtësisë”.