
Sting shet muzikën e tij te Universal
Kantautori britanik Sting ka vendosur të shesë katalogun e tij muzikor, duke përfshirë këtu edhe hitet që ai ka bërë me grupin Police, duke iu bashkuar kështu një morie artistësh që po fitojnë para përmes shitjes së të drejtave.
Kompania Universal tha në një njoftim për shtyp se ka blerë katalogun e Sting duke përfshirë këtu këngët hit si “Every Breath You Take”, apo “Roxanne”. Universal nuk bëri me dije detaje nga kontrata e nënshkruar.
Në muajt e fundit, zotëruesit e të drejtave të Bob Dylan, Bruce Springsteen, Paul Simon, Neil Young dhe shumë të tjerë shitën qindra këngë, katalogë, dhe dorëshkrime te kompani të ndryshme si Sony. Blerësit interesohen kryesisht te të drejtat e muzikës, por nuk kursehen kur vjen puna edhe te rekuizite apo albume të firmosura.
Kontratat rrallë herë zbulohen, por ekspertët e industrisë muzikore kanë zbuluar se për rastet e Springsteen Sony Music Entertainment pagoi 550 milionë dollarë, ndërkohë që në marrëveshjen e Dylan Universal Music pagoi rreth 300 deri në 500 milionë.
Sting, emri i vërtetë i të cilit është Gordon Sumner, ishte themelues i grupit “The Police” në Londër dhe në vitet 70-80 ishte këngëtari, kompozitori dhe kitaristi kryesor. Grupi kombinoi rock-un e valës së re, reggae-n dhe xhazin duke korrur suksese të një-pas-njëshme.
Ndërmjet punës së tij me grupin dhe si artist solo, Sting ka fituar 17 çmime Grammy dhe shumë vlerësime të tjera. Universal tha se ai ka shitur më shumë se 100 milionë albume.
Në vitin 2019, agjencia e licencimit të muzikës BMI tha se “Every Breath You Take” kishte tejkaluar “You’ve Lost That Loving Feeling” për t’u bërë kënga më e luajtur në katalogun e saj.
Sting ende performon koncerte live dhe ka luajtur në dhjetëra filma.