Sportet dimërore, Fidel Ylli pret ambasadorin e Austrisë Christian Steiner, premtohet shkëmbim përvojash

Austria do të ndihmojë Shqipërinë për të fituar përvojë në fushën e sporteve dimërore. Kjo u diskutua gjatë një takimi që pati të martën ambasadori i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Gjatë takimit Zoti Ylli e njohu ambasadorin Steiner me arritjet që ka pasur së fundmi Shqipëria në organizimet sportive duke veçuar finalen e Conference League dhe Kampionatin Europian të Peshëngritjes. Ai tha se aktualisht Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar po merret me përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, që do të organizohen në Algjeri nga 25 qershori deri më 5 korrik.

Shqipëria do të marrë pjesë me një delegacion prej 50 atletësh. Ylli tha se për këtë event sportiv pretendimet për medalje janë kryesisht në sportin e mundjes, peshëngritjes, boksit, atletikes,apo dhe gjimnastika, por që delegacioni shqiptar do të jetë më i kompletuar me sportistë në taekwondo,ping pong, tenis, judo, karate, not, hark, qitje dhe ciklizem. 

Për sa i përket sportit dimëror, Ylli theksoi zhvillimet e ndërmarra me Presidentin e Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, ku Shqipëria tashmë ka një përfaqësuese të denjë me djem dhe vajza të talentuara. Ylli përmendi organizimin e kampionatit të parë shqiptar të skive në Alpet e Italisë dhe faktin se ai tanimë njihet nga Federata Ndërkombëtare e Skive si organizim që u mundëson sportistëve pikëzim për në Lojërat Olimpike.

Në këtë drejtim Ambasadori Steiner tha se kishte dijeni për punën e ndërmarrë në sportet dimërore nga Shqipëria. Ai shpjegoi se sportet dimërore kanë sipërmarrje dhe përgatitje të mëdha në Austri, për të cilat u shpreh i gatshëm për të ndërmjetësuar lidhje me Komitetin Olimpik Austriak, apo kancelari të tjera diplomatike që i promovojnë ato, si për shembull Suedia apo Sllovenia.

Zoti Ylli tregoi se KOKSH ka kontakte me Komitetin Olimpik Austriak, madje e vlerëson të nevojshëm përthellimin e tyre për sa i përket shkëmbimit të përvojave në sportet dimërore.

“Austria është një vend mik i Shqipërisë, që ka përvojë në sportet dimërore,  kemi mundësi për shkëmbim eksperiencash të ndryshme në burimet njerëzore, në menaxhimin e zyrës, në menaxhimin e eventeve, shkëmbimin e eksperiencave të trajnerëve në sportet dimërore, mjekësinë sportive, ne kemi shumë nevojë që të kemi mundësi për bashkëpunim,” – tha Ylli.

Gjatë takimit u fol edhe për mundësinë e zhvillimit të infrastrukturës, ku Zoti Ylli vlerësoi se sporti i skive është një mundësi më shumë edhe për turizmin malor, për të cilin vitet e fundit Shqipëria ka pasur përparime fantastike. Ambasadori Steiner përmendi që aktualisht ekziston një numër i konsiderueshëm sipëmarrësish austriakë, të cilët janë specializuar në zhvillim e infrastrukturës së sportive dimërore.