SPAK lëshon urdhër-arrest për ish-deputetin Arben Ndoka

Ish-deputeti socialist Arben Ndoka është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme. Gazetarja Glidona Daci raporton se ndaj tij është caktuar masë sigurie arrest me burg, në mungesë.

“Sa i takon masës së arrestit me burg në mungesë për ish-deputetit Ndoka ende nuk e kam të mundur të saktësoj rolin në këtë grup të strukturuar kriminal”, raporton paraprakisht gazetarja Daci.

Arben Ndoka ka qenë i arrestuar edhe më herët. Në vitin 2018, ai u arrestua në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, kur u lëshuan 34 urdhërarreste. Në atë kohë, ai u akuzua për abuzim me pronat në bregdetin e Lezhës. Megjithatë, në 2021, Gjykata e Lezhës vendosi ta pushtonte çështjen ndaj ish-deputetit.

Sa i përket masës aktuale të arrestit, ajo që dihet deri më tani është se emri i ish-deputetit është në mesin e rreth 43 urdhërarresteve që janë lëshuar dhe po ekzekutohen këtë të premte kundër krimit të organizuar, pas zbërthimit të shumë bisedave në aplikacionin e koduar SKY ECC. Operacionet po zhvillohen në disa qytete të vendit si Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin, Durrës, Shijak dhe Tiranë.

Në mesin e personave të cilët janë shpallur në kërkim në fakt janë disa prej emrave më të njohur të botës së krimit, si Durim dhe Valter Bami, Leonard dhe Erlis Duka, vëllezërit Avdylaj, Fatmir Hyseni, Plaurent Dervishaj e Endrit Dokle.

Gazetarja Daci thotë se nga të dhënat që disponon deri në këto momente, dyshohet se Prokuroria e Posaçme ka mundur të zbardhë disa vrasje në zonën e Durrësit, Fushë Krujës dhe Lezhës, por edhe në Tiranë.

Mbetet për t’u parë se cilat janë këto ngjarje, ndërsa duhet theksuar se ky në fakt është një ndër operacionet më të mëdha të viteve të fundit, kundër krimit të organizuar në vend./ ABC